Atentati në Lushnjë/ Policia shoqëron 22 persona, çfarë u zbulua nga kamerat e sigurisë

Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga atentati me armë zjarri në Lushnjë, ku mbeti i plagosur rëndë 44-vjeçari, Kujtim Metaj, por ende nuk dihet se përse u qëllua ndaj tij, e sa arsyet e eliminimit të tij. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se 22 persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje nga Policia e Lushnjes por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse që mund të “zbërthente” ngjarjen.
Policia e Lushnjës nuk ka ende një pistë të qartë në lidhje me atentatin, ndërsa dhe vetë pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë duket se nuk kanë filmuar asgjë me vlerë për të identifikuar atentatorin, i cili ka qenë i maskuar me kapuç, syze dhe maskë anti-COVID. Misteri shtohet pasi Metaj punonte si shofer kamioni dhe njihet si person i qetë, pa probleme me drejtësinë dhe Policinë. Në pyetje për ngjarjen janë marrë edhe familjarët e të plagosurit, të cilët kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë konflikti të mëparshëm. Deri më tani, e vetmja pistë që po ndiqet është fakti se 44-vjeçari ishte mik me Besnik Hidën, i cili mbeti i vrarë në një atentat më 1 tetor të vitit 2019.
Kujtim Mema është plagosur në bark teksa konsumonte një pije brenda një lokali, ku ka marrë 2 plumba në bark. Pas ndihmës së parë në spitalin e Lushnjës është dërguar në Tiranë, ku edhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Vetë 44-vjeçari nuk ka probleme me Policinë e Shtetit, por nuk përjashtohet mundësia që ai të mos ketë qenë shënjestra e atentatit pasi në zonë kishte dhe persona të tjerë.