Era e fortë dëmton 100 hektarë të mbjella në Lushnje, fermerët: Dëmi, i madh! Braçe: Ju bëni vetëm lavde

Moti i keq me erë të fortë që ka përfshirë vendin ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë. Në Imshtë të Lushnjes janë dëmtuar rreth 100 hektarë të mbjella me shalqi. Fermerët shprehen se dëmet janë të konsiderueshme pasi janë dëmtuar plotësisht plastmasën e serave dhe po ashtu edhe fidanët. Në këto kushte fermerëve i duhet të zëvendësojnë plastmasën dhe deri në 50 % te bimëve te mbjella.
"I ka prishur era sot. Kam hedhur 2 mln lekë investim. Bimët janë dëmtuar nga era. Shteti nuk na ndihmon fare, nuk e di ça do bëjmë", thotë një fermer.
"Është bërë dëm shumë i madh. Plastmasi është grisur. Bima po na thahet. Nuk po dimë ça të bëjmë, plastmasi duhet zëvendësuar nga e para. Po bën dhe ftohtë, vështirë se mund të shpëtojnë bimët", shprehet një tjetër.
Specialisti i bujqësisë, Stavri Mita shprehet se dëmet janë mjaft të mëdha dhe se po bëjnë të pamundurën për rikuperimin e dëmit pasi mbi 60 % e të ardhurave vjetore në zonë vijnë nga shalqiri.
"Të gjitha parcelat e mbjella me shalqi e pjepër janë dëmtuar maksimalisht. Kam folur me fermerët që të riorganizohemi dhe njëherë e të blejmë fidanë, plastmasë. Kemi 150 hektarë shalqi të mbjella. Janë dëmtuar fidanët, ato që janë mbjellë diku te 10 ditë më parë", u shpreh ai.
Deputeti Erion Braçe ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar, duke theksuar se thirrjet e tij për t'u marrë me ndryshimet klimatike, nuk janë dëgjuar nga qeveria. Ai kritikon qeverinë se ajo që bëhet janë vetëm lavde dhe se çdo gjë shkon mirë, ndërsa atë e akuzojnë se 'gënjen për t'i marrë vendin Fridës'.
Përveç dëmeve ekonomike, kjo situatë do të ndikojë edhe në daljen me vonesë në treg të prodhimit të shalqirit për këtë vit.